VIDEO/ Paga fiktive në rrobaqepësi, nisin kontrollet pas denoncimeve

TIRANË, 6 shtator/ATSH/ Inspektorati Shtetëror i Punës ka ushtruar kontrolle në subjekte që operojnë në sektorin e fasonerisë, në kuadër të aksionit të nisur kundër informalitetit, si dhe denoncimeve që vijnë përmes aplikacionit të dedikuar.

Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Arben Seferi tha se pas marrjes së informacionit përmes aplikacionit Stop Informalitetit u ngrit grupi i punës i cili realizoi dhe procesin e inspektimit.

“Nga inspektimi është verifikuar që ka probleme me informalitetin gri. Informaliteti gri ka të bëjë me pjesën e deklarimit të pagave, që ndryshe është paga në realitet, ndryshe është paga që merr punonjësi. Ka pasur probleme me pagesën e orëve jashtë orarit. Ka pasur probleme me pagesën për ditët e pushimit, si dhe ka pasur problematikë për sa i përket lejeve të zakonshme të punëmarrësve”, – tha Seferaj.

Sipas tij, deklarimi në skemën e sigurimeve shoqërore është me rëndësi pasi është një investim që shkon për periudhën e tretë, pasi vjen koha e pensionit.

Thirrja për zbatim të ligjit i drejtohet edhe punëdhënësve, të cilët duhet të bëjnë deklarimet ligjore në mënyrë që të mos penalizohen.

Sipas Seferajt, kontrollet do të shtrihen dhe në sektorë të tjerë, si ndërtimi, prodhimi, minierat, energjetika, përpunimi i naftës, që janë sektorët kyç të ekonomisë së vendit. z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.