Raporti OSBE/ODIHR, Shalsi: Opozita nuk e nxori mësimin

TIRANË, 6 shtator /ATSH/ Ministri për Sipërmarrjen, Eduard Shalsi, gjatë një interviste televizive u shpreh në lidhje me reagimin e opozitës pas raportit të OSBE/ODIHR.

Sipas Shalsit, këto zgjedhje mazhoranca do i dëshironte me kundërshtarë, por në fund qeveria nuk është përgjegjëse për vendimin që mori opozita.

“Nuk habitesh që asnjë mësim nuk kanë nxjerrë nga gjithçka ka ngjarë në këto muaj. Ajo që të vjen keq është se mesa duket nuk kanë kuptuar se në çfarë qorrsokaku hyjnë përpara zgjedhjeve dhe po vazhdojnë. Në momentet kur do merret një vendim për negociatat PD dhe opozita bëjnë gjuhën më agresive dhe protestat të cilat mesa i kuptova do fillojnë nga mesi i tetorit. Nuk janë zgjedhjet që ne do donim të ishin. Do donim një kundërshtar përballë, do donim një garë të vërtetë, por nuk është qeveria përgjegjëse për atë që ndodhi sepse zgjodhën të mos merrnin pjesë”, tha Shalsi.

Shalsi vijoi më tej duke thënë se nëse opozita do të adresojë shqetësimet e saj me zgjedhjet duhet të marrë pjesë në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore.

“Nëse do duan realisht të adresojnë problemet zgjedhore dhe do të ishte naivitet të besoj që në Shqipëri ka zgjedhje pa probleme, ka probleme dhe ne jemi të ndërgjegjshëm që duhen korrektuar. Problemet nuk mund të adresohen me fjalë, por me vepra. Ajo që ky raport sikundër e thotë që është në vijim të raporteve të mëparshme përcakton qartë se ku duhet ndërhyrë në kod zgjedhor për të pasur zgjedhje më të mira. Bëhet thirrje për dialog dhe për të biseduar për ndryshimet. Ngritëm një komision, të cilën nuk e morën parasysh dhe nuk kontribuan për ato që i konsiderojnë probleme dhe shqetësime të tyre”, tha ai.

“Di të them që është një opozitë që nuk e kemi zgjedhur ne, por ata. Kanë hyrë në një qorrsokak nga i cili nuk po dalin dot. Nuk është përgjegjësi e jonë për ta marrë dhe ta ulim me zor në tryezë. Ftesa jonë ka qenë dhe mbetet e hapur për të adresuar rekomandimet e raportit të OSBE-së”, tha Shalsi

Për sa i përket deklaratës së fundit të Bashës për mbajtjen e protestave të opozitës, Shalsi tha se “Deklarata e fundit që do fillojnë protestat në Tetor pikërisht në vendimmarrjen për çeljen e negociatave nuk ndryshon strategjinë e opozitës, e cila nuk do në asnjë mënyrë të çelen negociata, nuk do në asnjë mënyrë këtë hap i cili do ndihmonte perspektivën evropiane të Shqipërisë. Nuk është hera e parë që e kanë bërë. Protestat e opzitës kanë ardhur duke u tkurrur, janë mbajtur me një oksigjen të bashkive të djathta. Sigurisht që nuk është një gjë që na vjen mirë sepse kërkon të përçohet një imazh nëpërmjet mediave të një shqiupëriëe që nuk është jo që shpesh herë ka dalë në media. Një gjë është e vërtetë, të gjitha përpjekjet e tyre për të shkaktuar kaos, rrëmujë, për të ndërtuar një lëvizje anti-sistem kanë dështuar. Mbi të gjitha kemi një qëndrim në unison të faktorit ndërkombëtar për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 Qershor”.

Ministri reagoi edhe për paralajmërimet që PD ka bërë në lidhje me publikimin e të tjera materialeve për kryebashkiakët socialistë.

“Nuk jam në dijeni, por gjithçka denoncohet dhe është e drejtë patjetër që duhet marrë në konsideratë. Ajo që po bëjmë është që po përpiqemi që të luftojmë fenomenet të tilla jo me fjalë dhe me demagogji por me vepra. Ka një propozim të deklaruar, që kandidatët të filtrohen mirë, jo nga forcat politike, por nga organet”, tha Shalsi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.