LONDËR – Johnson nis përgatitjet për fushatën elektorale

LONDËR, 6 shtator, /ATSH-AFP/ – Boris Johnson, i vendosur për zgjedhje të parakohshme në Britaninë e madhe, mbërriti sot në Skoci, në një klimë parafushate elektorale, në një kohë kur Dhoma e Lordëve duhet të miratojë ligjin për shtyrje të Brexit-it, i parashikuar më 31 tetor.

Pas një takimi me fermerët, kryeministri konservator u prit nga mbretëresha Elizabeth, në kështjellën e saj të Balmoralit.

Në frontin juridik, Gjykata e Lartë e Drejtësisë në Londër duhet të japë vendimin e saj në lidhje me ankesën kundër vendimit të Johnson për pezullimin e parlamentit, një procedim gjyqësor i nxitur nga aktivistja anti-Brexit, Gina Miller dhe ish-kryeministri konservator, John Major.

I dekretuar si manovër për të çuar vendin drejt një Brexit-i pa marrëveshje, ky pezullim i Parlamentit për pesë javë, deri në 14 tetor, ka shkaktuar zemërimin e opozitës, por edhe të deputetëve konservatorë.

Pas seancave të trazuara në Dhomën e Përfaqësuesve, deputetet rinisën përpjekjet për të penguar një tërheqje pa marrëveshje nga BE.

Dhoma e Ulët miratoi të mërkurën një projektligj, që e detyron kryeministrin të kërkojë nga Brukseli një shtyrje të re tremujore të Brexit-it, deri më 31 janar 2020, nëse nuk arrihet marrëveshje me BE-në deri më 19 tetor. Një samit evropian, i cili mund të jetë mundësia e fundit për Londrën që të përfundojë një marrëveshje me BE-në, është planifikuar për në 17-18 tetor në Bruksel.

Edhe pse Boris Johnson e quan këtë ligjin e kapitullimit përballë BE-së, qeveria njoftoi se nuk do ta pengojë parlamentin nga frika e opozitës.

Dhoma e Lordëve do ta shqyrtojë projektligjin mbrëmjen e ditës së sotme dhe ligji mund të hyjë në fuqi që të hënën, pas miratimit të mbretëreshës.

Gjatë vizitës në një shkollë policie, në Yorkshire, Boris Johnson u shpreh se më mirë vdiste sesa të kërkonte një shtyrje të Brexit-it./ /ervo/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.