“Vllaznia” dënohet katër ndeshje pa tifozë, Teqja pezullohet me dy ndeshje

TIRANË, 5 shtator/ATSH Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka publikuar vendimet e fundit në lidhje me ndeshjet e javës së tretë. Padyshim që bie në sy dënimi i “Vllaznisë” për shkak të ngjarjeve që ndodhën në ndeshjen ndaj “Tiranës”.

Tifozët shkaktuan ndërprerjen e ndeshjes me hedhjen e shisheve në fushën e lojës në humbjen ndaj Tiranës dhe FSHF dënoi kuqe blutë me 4 ndeshje pa tifozë.

Po ashtu për herë të parë një futbollist u dënua për deklaratat e bëra kundër FSHF-së. Olsi Teqja, futbollist i “Kukësit” u dënua me dy ndeshje. Ai tha pas ndeshjes kundër Laçit se janë ndryshuar gjyqtarët një natë para ndeshjes. Një dënim i tillë aplikohet për herë të parë në Shqipëri.

Vendimet e plota

1.    KF “Vllaznia”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke shkaktuar akte dhune dhe ndërpreje të përkohëshme të lojës, në bazë të Nenit 65/3 dhe Nenit 65/4/b të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshja pa tifozë në fushën përkatëse.
Në zbatim të Nenit 32/3 të KDS, urdhërohet pezullimi i zbatimit të dënimit për ½ e dënimit me kusht për një periudhë 6 mujore.
2. Lojtari i KF “Kukësi”, Olsi Teqja, për publikimin e deklaratave kundër interesave të FSHF, në bazë të Nenit 10/1/d. të Statutit të FSHF dhe Nenit 18 të KDS, dënohet me pezullim nga 2 (dy) ndeshje prej aktivitetet futbollistike. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.