Porti i Durrësit: Bie numri i udhëtarëve me tragete

TIRANË, 5 shtator/ATSH/ Numri i udhëtarëve me tragete nga dhe drejt Durrësit ka nisur gradualisht të bjerë, pas rikthimit masiv të turistëve dhe bashkëatdhetarëve, të cilët pasi kaluan pushimet me familjet e tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni shfrytëzuan kthimin me tragete gjatë muajit gusht.

Nga të dhënat operative ditore në Autoritetin Portual Durrës, mësohet se në tre ditët e para të muajit shtator kanë udhëtuar me tragete afro 17 mijë pasagjerë me 3,787 autovetura gjithsej.

Pjesa më e madhe e tyre, 13,553 udhëtarë janë nisur drejt Barit, Ankonës dhe Triestes, ndërsa 3,360 të tjerë kanë mbërritur në Durrës me tragetet e linjës.

Këto ditë në linjat detare me Italinë kanë lundruar 2-3 tragete gjithsej, nga 5-7 që lundronin në periudhën korrik-gusht.

Gjatë periudhës 1-3 shtator tragetet kanë transportuar edhe 450 kamionë dhe trajlerë me mallra të ndryshme.

Në muajin gusht tragetet janë preferuar nga 280 mijë udhëtarë me 66 mijë automjete, shifra më e lartë mujore që nga fillimi i vitit./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.