Rregullorja e re, KESH me një filozofi të re në tregtimin e energjisë

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Asambleja e Aksionarëve të KESH miratoi “Rregullat e Përgjithshme të Organizimit të Aktivitetit Tregtar”, një dokument që pritet t’i japë një tjetër dimension aktivitetit tregtar të shoqërisë në tregun e energjisë.

Përmbushja e detyrimeve për shërbimin publik si dhe mbrojtja e interesit publik në përputhje me parashikimet e ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike” të ndryshuar, janë në fokus të këtij dokumenti.

Rregulloja e re synon komercializimin e aktivitetit të Kesh sh.a në drejtim të furnizimit me energji elektrike, fillimisht në vend e më pas në tregun rajonal, si dhe në zhvillimin e procedurave të tregtimit në formë elektronike duke rritur transparencën, shkurtuar kohën dhe garantuar konkurrencën.

Licenca për furnizimin me energji elektrike nga Kesh sh.a, krahas asaj të prodhimit dhe tregtimit, është një mjet i ri që do të garantojë pjesëmarrjen e shoqërisë Kesh sh.a në tregun shqiptar të energjisë elektrike, si dhe do të nxisë krijimin e një filozofie të re të tregtimit të energjisë, duke ofruar produkte të reja për tregun, optimizimin e portofolit energjetik dhe ekonomik të shoqërisë dhe mbështetje të vazhdueshme drejt procesit gradual të liberalizimit të tregut.

Rregullat e Përgjithshme të Aktivitetit Tregtar të shoqërisë KESH sh.a janë hartuar dhe miratuar gjithashtu në frymën e angazhimeve të ndërmarra në kuadër të marrëveshjes së huas së nënshkruar ndërmjet KESH sh.a dhe EBRD, si dhe angazhimeve të ndërmarra nga qeveria shqiptare me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Energjinë (2018-2030). /m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.