Policia e Shtetit, adresim në kohë të çdo shqetësimi të turistëve nga Kosova

TIRANË, 4 shtator /ATSH/ Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini ka zhvilluar sot një takim me zv.ministren e Brendshme, Rovena Voda me të cilën bisedoi për bashkëpunimin bilateral dhe çështjen e pjesëmarrjes së Kosovës në forumet multilaterale.

Gjatë këtij takimi u bisedua gjerësisht edhe për projektligjin shqiptar “Për Shtetësinë”, i cili, sipas Vodës, do t’u japë mundësi shtetasve të huaj, që faktojnë se në tre breza kanë lidhje me një familjar me shtetësi shqiptare që të marrin pasaportë shqiptare.

“E falënderova zv.ministren Voda edhe për angazhimin e personelit të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për adresimin me kohë të çdo shqetësimi të turistëve nga Kosova dhe për masat shtesë gjatë sezonit turistik në garantimin e sigurisë për çdo vizitor”, tha ambasadori Ukshini. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.