Plani i veprimit antikorrupsion, konsultime ndërinstitucionale për një dokument të unifikuar

TIRANË, 4 shtator /ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha sot, se Plani i Veprimit Antikorrupsion, si një nga dokumentet më jetësore në rritje të transparencës qeverisëse do të jetë i unifikuar, i ndërlidhur dhe do të përbëjë një plan strategjik për eliminimin e praktikave korruptive.

Pas takimit që zhvilloi me përfaqësues të Prokurimeve Publike si dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, si edhe ILDKPKI, Gjonaj theksoi se rezultatet janë shumë të mira.

“Ministria e Drejtësisë vijon të udhëheqë me përgjegjshmëri të plotë të gjitha diskutimet e detajuara ndërinstitucionale mbi Draft-Planin e Veprimit “Antikorrupsion” 2019-2023 për parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit nëpërmjet rishikimit të legjislacionit, aspekteve rregullatore, si dhe hetimin e rasteve të korrupsionit në të gjitha nivelet”, theksoi Gjonaj.

“Në cilësinë e Koordinatores Kombëtare Antikorrupsion, shpreh besimin dhe garancinë e plotë që në përfundim të procesit konsultativ ndërinstitucional, Plani i Veprimit Antikorrupsion, si një nga dokumentet më jetësore në rritje të transparencës qeverisëse do të jetë i unifikuar, i ndërlidhur dhe do të përbëjë një plan strategjik për eliminimin e praktikave korruptive”, u shpreh ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.