Perceptimi i publikut/ 95,5% e qytetarëve të anketuar të kënaqur nga shërbimi në sportelet e DPSHTRR

TIRANË, 4 shtator /ATSH/ 95,5% e qytetarëve të anketuar kanë qenë të kënaqur nga shërbimi në sportelet e DPSHTRR.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka zhvilluar një anketim për periudhën korrik-gusht 2019, ku janë realizuar 832 telefonata rastësore në të gjitha drejtoritë rajonale për të matur perceptimin e publikut mbi shërbimin në sportelet e DPSHTRR.

Nga ky pyetësor ka rezultuar se nga 832 qytetarë të anketuar, 795 qytetarë ose 95,5% kanë qenë të kënaqur nga shërbimi ndërsa 4,5% nuk e kanë vlerësuar pozitivisht për arsye të ndryshme si: radha dhe koha e pritjes në sportel, shërbimi nga ana e stafit, mungesa e informacionit e të tjera.

“Mendimet e qytetarëve  na ndihmojnë të përmirësohemi, ndaj na kontaktoni për të adresuar të gjitha ankesat, denoncimet, apo sugjerimet që mund të keni”, tha DPSHTRR, pas publikimit të rezultateve. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.