AFGANISTAN – Qeveria e shqetësuar nga projektmarrëveshja SHBA-talebanë

KABUL, 4 shtator /ATSH-AFP/ – Qeveria afgane shprehu dyshime për projektmarrëveshjen mes SHBA-së dhe lëvizjes talebane duke kërkuar sqarime për rrezikun që përbën.

I dërguari special amerikan ishte këtë javë në kryeqytetin afgan dhe ndau me zyrtarët afganë elementët e një marrëveshjeje “në parim” të negociuar me talebanët.

Kjo marrëveshje do të mundësojë veçanërisht një tërheqje domethënëse të trupave amerikane.

“Kabuli është i shqetësuar dhe kërkojmë sqarime në lidhje me këtë dokument për të analizuar saktësisht rreziqet dhe pasojat dhe për të shmangur çdo rrezik që mund të shkaktojë”, theksoi Sediq Sediqqi, zëdhënës i presidentit afgan, Ashraf Ghani.

Projekti ka shqetësuar shumë afganë. Ata dyshojnë se Uashingtoni po sakrifikon mbrojtjen e interesit të tyre në këmbim të një tërheqjeje duke i dhënë fund një konflikti 18-vjeçar.

Sediqqi theksoi se qeveria e tij ndante shqetësime për projektmarrëveshjen, njoftuar një ditë më parë nga zyrtarët amerikanë./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.