“Smile Albania”/ Fieri mikpret turistët e huaj me antikitetin dhe natyrën e mrekullueshme


TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Të shumtë kanë qenë turistët e huaj që kanë vizituar Parkun Arkeologjik të Apolonisë dhe lagunën e Karavastasë në Qarkun e Fierit, ku janë pritur nga të rinjtë e “Smile Albania”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot përshtypjet e disa prej tyre të cilët vlerësojnë mikpritjen shqiptare dhe resurset turistike të kësaj zone.

“Mirëmëngjes dhe me buzëqeshjen e Shqipërisë në Fier, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Në Parkun Arkeologjik të Apolonisë turistët janë pritur nga të rinjtë e “Smile Albania”, të cilët kanë ndarë me ta informacione për qytetin antik.

“Është hera e parë që vijmë në Apoloni, është shumë interesante”, tha një turist.

“Duhet ta vizitoni pa tjetër këtë vend sepse do të mësoni shumë për qytetin antik dhe manastirin”, u shpreh një tjetër.

Njëri prej tyre vlerësoi se “këto site arkeologjike janë shumë interesante, pasi ka shumë elementë të Romës dhe Greqisë së lashtë”.

Një tjetër destinacion për t’u vizituar në qarkun e Fierit është laguna e Karavastasë, e cila mirëpriti shumë turistë të huaj e vendas.

“Jam nga Gjermania, Mynihu dhe më pëlqeu shumë parku”, tha njëri prej tyre.

“Parku është shumë i bukur dhe të rinjtë që na mikpritën janë shumë të përgatitur. Kalova mirë. Më pëlqeu gjithçka këtu. Ejani, vizitojeni sepse ia vlen”, është ftesa që drejton një tjetër turist.

Edhe 4 të rinj nga India vlerësuan po ashtu natyrën e mrekullueshme të këtij parku. “Ne jemi të gjithë nga India, nga Mumbai dhe Bangloti. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe në këtë park natyror. Pamë lagunën dhe natyrën e mrekullueshme. Pamë dhe shumë pelikanë”, thanë ata.

“Përshëndetje, jemi nga Gjermania. Na pëlqeu shumë ky vend. Parku është shumë i bukur, ka shumë kafshë dhe është shumë relaksues”, thanë dy turistë gjermanë./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.