Përtëritje bazës së Policisë/ Nesër konkursi, korrigjimi me skandron rezultatet afishohen menjëherë

TIRANË, 3 shtator /ATSH/ – Policia e Shtetit, në datë 3 korrik, hapi aplikimet për 500 vende, për Patrullë të Përgjithshme. Thirrjes së Policisë për t’u bërë pjesë e saj iu përgjigjën 2 120 të rinj e të reja nga gjithë vendi. Për t’u ardhur në ndihmë shumë të rinjve e të rejave, të cilët nuk i përmbushnin dot të gjitha kriteret deri në datën 3 gusht, Policia e shtyu afatin e aplikimeve deri në datën 15 gusht.

Drejtori i Kolegjit Policor, drejtues Ylli Vasili në një dalje të posaçme për mediet sqaroi detajet e këtij procesi. Sipas tij, ky interesim i lartë i të rinjve dhe të rejave është një inkurajim i madh për organizatën e Policisë, e cila vitet e fundit ka hapur dyert për ta.

Vasili sqaroi se pas përfundimit të afatit të aplikimit në datë 15 gusht, u bë verifikimi i dokumentacionit, u shpallën listat dhe u njoftuan të gjithë aplikantët për datën dhe vendin e zhvillimit të fazës së parë të konkurrimit, atë të testimit me shkrim.

Më datë 4 shtator, në Pallatin e Kongreseve, 2 120 aplikantë do të marrin pjesë në testimin me shkrim. Testimi do të zhvillohet në dy faza, brenda ditës.

Në fazën e parë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Tiranë, Berat, Durrës e Fier, të cilët duhet të jenë prezent në Pallatin e Kongreseve, në orën 07:30 të mëngjesit.

Në fazën e dytë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër, të cilët duhet të jenë prezent në orën 12:00, në Pallatin e Kongreseve.

Aplikantët, në momentin që futen në sallën e konkurrimit nuk duhet të kenë me vete celular dhe u ndalohet komunikimi me njëri-tjetrin gjatë zhvillimit të testimit.

Për të eliminuar çdo abuzim sado të vogël, të dyja fazat e testimit do monitorohen me kamera, si dhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

Pyetjet e testimit me shkrim prodhohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore në Ministrinë e Arsimit dhe tërhiqen nga komisioni në orën 07:00 të mëngjesit dhe janë pyetje me karakter të formimit të përgjithshëm.

Testet janë në kuti të mbyllura e me vulë dhe hapen në prezencë të aplikantëve. Çelësi i përgjigjeve të testimit tërhiqet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, në momentin kur përfundon testimi dhe mblidhen testet e pjesëmarrësve.

Në prezencë të një grupi me rreth 30 aplikantë të zgjedhur si përfaqësi nga vetë aplikantët, bëhet korrigjimi me skandron dhe përgjigjet afishohen menjëherë në Pallatin e Kongreseve.

“Çdo konkurrent, në fund të çdo faze konkurimi, në rast se nuk është dakord me rezultatin, ka të drejtën e ankimimit brenda dy ditëve. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në Akademinë e Sigurisë në zyrën e Burimeve Njerëzore dhe më pas kjo ankesë i përcillet Komisionit të Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, tha Vasili. .

Ndërkohë, vijojnë të jenë të hapura aplikimet deri në datën 15 shtator 2019, për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta në degët Ekonomik, Juridik dhe Teknologji Informacioni dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë, të cilët në përfundim të kursit, do të bëhen pjesë e strukturave të hetimit të Policisë së Shtetit dhe do të marrin gradën policore Nënkomisar.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklet e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shteti. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.