Foto/ Kalldrëmet e Gjirokastrës, mozaiku i Qafës së Pazarit po rindërtohet gur pas guri

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Në Gjirokastër ka nisur rindërtimi i një prej rrugëve kryesore në pazarin karakteristik, asaj të mozaikut të Pazarit, që do të jetë një punë shumë delikate, pasi po punohet gur pas guri.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se mozaiku i Qafës së Pazarit po rindërtohet si dikur sikurse premtuan mjeshtrat.

“Një punë delikate që po ndiqet gur pas guri, duke zbatuar me korrektësi parametrat e duhura, për ta sjellë në formën më optimale, për vendasit dhe turistët e huaj.
Këta të fundit jo vetëm që nuk u penguan prej punimeve, por puna e mjeshtrave të kalldrëmit u kthye në kuriozitet dhe atraksion turistik”, thotë FSHZH.

Ky mozaik është pjesë e investimeve që po kryhen në “Qafën e Pazarit” dhe po realizohen në kuadër të projektit “Zhvillimi i Integruar Urban e Turistik në Shqipëri” financuar prej qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore.  /z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.