Reforma zgjedhore, shtrëngime më të ashpra për pastërtinë e figurës së kandidatit

TIRANË, 2 shtator/ATSH-Maela Marini/ “Kryeministri Edi Rama, më tepër në cilësinë e deputetit, do të depozitojë në komisionin e reformës zgjedhore amendamente për shtrëngime më të ashpra për pastërtinë e figurës së kandidatit”, deklaroi sot në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në nisje të sesionit të ri parlamentar, Balla tha se “komisioni do t’i shqyrtojë këto amendamente dhe ne mirëpresim çdo vërejtje dhe propozim që ta pasurojmë këtë nismë të vyer në funksion të parandalimit, që çdo person me të shkuar problematike të mos zgjidhet apo emërohet në pozicione që ligji e  përcakton qartë se u ndalohet”.

Sa i takon mangësive të vërejtura në kuadrin ligjor për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen apo emërohen, Balla tha se rasti i Shkodrës na bën të jemi të vetëdijshëm që kuadri ligjor ekzistues nuk është ende i plotë.

Komisioni do t’i shqyrtojë këto amendamente dhe ne mirëpresim çdo vërejtje dhe propozim që ta pasurojmë këtë nismë të vyer në funksion të parandalimit, që çdo person me të shkuar problematike të mos zgjidhet apo emërohet në pozicione që ligji e  përcakton qartë se u ndalohet”, tha Balla.

“Reforma zgjedhore është kryefjala e këtij sesioni të ri parlamentar, ndaj ne i kemi rezervuar edhe opozitës jashtëparlamentare vendin e saj me të drejtë vetoje në këtë komision”, – deklaroi Balla.

Balla tha se “ne mirëpresim që PD të ushtrojë të drejtën e saj për t’u përfaqësuar në këtë komision”.

“Objektivi kryesor është adresimi i plotë i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në zgjedhjet e 2013, 2015, 2017 dhe në zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Ne kemi prioritet votën e emigrantëve dhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore. Opozita kërkon hulumtimin dhe diskutimin e mundësisë për ndryshimin e sistemit zgjedhor”, – tha Balla.

Balla tha se detyra e të gjithëve është të bashkohemi në objektivin madhor të Shqipërisë që pritet të konkludohet në Këshillin e Europës në tetor, çeljen e negociatave.

“Të gjithë jemi besimplotë që Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut meritojnë tërësisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Kjo nuk është një fitore e qeverisë apo shumicës sonë, por është një moment i rëndësishëm për gjithë shqiptarët dhe unë di të vlerësoj shumë mirë edhe rolin e opozitës në këtë sallë për miratimin e ligjeve të fundit të paketës së Reformës në Drejtësi”, – tha Balla.

Ai kërkoi që në frymën e këtij bashkëpunimi të vijohet edhe për sfidat që presin përpara.

Balla shprehu domosdoshmërinë e çuarjes më tej të zbatimit të plotë të Reformës në Drejtësi, ndërsa kujtoi se Kuvendi ripërfshihet në rolin që luan si në përzgjedhjen e 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, edhe atë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë apo Prokurorit të ri të Përgjithshëm”.

Balla tha se “jemi në afatet fundore që këto institucione të marrin udhë dhe të fillojë puna menjëherë”.

Po ashtu, Balla tha se rëndësi do t’i kushtohet po ashtu edhe kohës në dispozicion të njerëzve, për të cilën tha se Kuvendi do të ketë edhe një seancë të posaçme dedikuar njerëzve dhe problematikave të tyre.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.