FOTO/ Muzetë e Beratit “magnet” turistik, gjatë gushtit mirëpritën 5400 turistë të huaj

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ – Muzeu Ikonografik “Onufri” dhe Muzeu Etnografik ishin ndër destinacionet e preferuara të muajit gusht për turistët vendas dhe të huaj.

Këto muze mbeten të preferuar nga turistët si destinacione të rëndësishëm, pasi ato i ofrojnë atyre një itinerar mjaft të veçantë njohës përmes objekteve që kanë.

Muzetë e Beratit gjatë periudhës 1 deri në 21 gusht kanë mirëpritur 6263 vizitorë, nga të cilët rreth 5400 janë të huaj.

Jo vetëm Muzeu Ikonografik “Onufri” vazhdon t’i joshë vizitorët, por tashmë edhe Muzeu Etnografik u ka ngjallur një interes të veçantë vizitorëve me vlerat e koleksionit të tij, por edhe me mënyrën e veçantë të organizimit.

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Ky muze ka një fond të pasur etnografik me rreth 1200 objekte.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.

/a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.