FOTO/ Elbasan, muzikë e sport gjatë fundjavës

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ – Qindra qytetarë i janë bashkuar aktiviteteve të fundjavës të organizuara nga bashkia e Elbasanit përgjatë gjithë bulevardit “Aqif Pasha” dhe në lulishtet kryesore. Aktivitetet u konceptuan në mënyrë të tillë që të përfshijnë të gjithë grupmoshat duke filluar nga më të vegjlit.

Aktorët argëtuan fëmijët me lojëra dhe me përrallën e pasdites në lulishten para Pallatit të Sportit.

Kryetari i bashkisë Gledian Llatja iu bashkua aktiviteteve pikërisht me garën e çiklizmit, për të dhënë mesazhin e qartë mbi përdorimin e biçikletës.

Llatja u bëri thirrje qytetarëve të përdorin sa më shumë biçikletat e tyre, duke u kujdesur në këtë mënyrë, për një qytet me sa më pak ndotje. Po ashtu, biçikleta është aleati për një trup të shëndetshëm.

Së bashku me çiklistë dhe me sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Çiklizmit, Alfred Tahiraj, kryetari i bashkisë përshkoi me biçikletë të gjithë bulevardin.

Asnjë qytet nuk flet më bukur përmes artit, sesa Elbasani, dhe pjesa qendrore e sheshit i ishte dedikuar pikërisht artit. Të rinjtë shfaqën talentin e tyre në arte figurative, ndërsa orkestra e qytetit performoi në hyrje të kalasë.

Tingujt e muzikës bashkuan qindra qytetarë deri në përfundim të aktiviteteve. Muaji gusht ka qenë një muaj i ngjeshur aktivitetesh të cilat janë organizuar çdo pasdite, me qëllim rigjallërimin e jetës në qytet. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.