Moti i nxehtë dhe i thatë/ 239 vatra zjarri gjatë gushtit

TIRANË, 1 shtator/ATSH/A. Fortuzi/- 239 vatra zjarri janë shënuar vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti në qytete të ndryshme të vendit. Kushtet e pazakonta atmosferike me thatësira të tej-zgjatura, temperatura të larta dhe erëra të forta në zona të caktuara, por edhe veprimtaria e pakujdesshme njerëzore kanë shkaktuar vatra zjarresh në pyje, kullota e pemëtari.

Për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve ka patur nja angazhim maksimal të kapaciteteve të Forcave të Armatosura me mjete edhe me personel si dhe strukturave të tjera shtetërore. Rreth 180 mjete zjarrfikës nga strukturat vendore të shërbimit të MZSH-së si dhe 2000 forca (MZSH, AZM, ushtarë nga FA, vullnetarë, etj.) janë angazhuar për të shuar zjarret në këtë periudhë.

Në Delvinë dhe Finiq të enjten u riaktivizuan dje vatrat e zjarrit. Gjashtë mjete zjarrfikëse nga Delvina, Saranda dhe Gjirokastra dhe 70 punonjës të shërbimit zjarrfikës u angazhuan në operacionin për shuarjen e flakëve. Autoritet lokale raportuan për vetëm dy shtëpi të braktisura prej 15 vjetësh të dëmtuara nga zjarri. Situata është tërësisht nën kontroll, ndërsa efektivët e FA në Detashmentin e Mbrojtjes Rajonale të Gjirokastrës janë në gatishmëri për çdo situatë.

Zjarret e rëna kanë dëmtuar rreth 500 hektarë pyje, shkurre e disa mijëra rrënjë ullinj.
Në shumë raste është konstatuar së zjarret kanë qenë të qëllimshme, ndaj institucionet ligj zbatuese janë angazhuar për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve përgjegjës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.