Foto/ Standarde bashkëkohore, përfundon rikonstruksioni i shkollës “Demir Godelli” në Peqin

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Viti i ri shkollor që nis më 16 shtator do t’i gjejë 450 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Demir Godelli” në Peqin, me mjedise dinjitoze dhe kushte bashkëkohore sipas të gjitha standardeve të përcaktuara tashmë nga Ministria e Arsimit për zhvillimin e një procesi mësimor normal.

Për rikonstruksionin e plotë të kësaj shkolle, punimet vijuan me intensitet ndërsa punonjësit aktualisht janë duke i dhënë dorën e fundit rregullimeve, për të qenë gati për vitin e ri akademik.

Me qëllim ndryshimin e infrastrukturës arsimore dhe modernizimin e kushteve të edukimit për nxënësit, qeveria vendosi të rikonstruktojë 58 shkolla në të gjithë vendin, ku pjesë e projekteve fituese ishte edhe shkolla “Demir Godelli”.

Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste njëherësh edhe i deleguari kësaj partie në qarkun e Elbasanit, Taulant Balla ka inspektuar më herët punimet e kësaj shkolle, ndërsa ka premtuar se projekte të tjera shumë shpejt do të nisin zbatimin në bashkinë e Peqinit, siç është edhe projekti për Rilindjen Urbane të këtij qyteti.

Rikonstruksioni total i ambienteve përfshiu edhe sistemin e ngrohjes me kaldajë, rinovimin e të gjithë rrjetit elektrik dhe hidraulik, termoizolimin, ambientet e jashtme ku përfshihet edhe një kënd lojërash për fëmijët e sistemit parashkollor, këndet sportive, si dhe të gjithë infrastrukturën lehtësuese për nxënësit me aftësi ndryshe.

Më herët, shkolla “Demir Godelli” ishte jashtë çdo standardi higjieno-sanitar. /z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.