LONDËR – Johnson paralajmëron deputetët kundër bllokimit të Brexit

LONDËR, 30 gusht /ATSH-AFP/ – Kryeministri britanik, Boris Johnson paralajmëroi sot deputetët kundër çdo përpjekjeje për të bllokuar Brexit, parashikuar më 31 tetor duke theksuar se kjo do të kompromentonte besimin e popullit në politikë.

“Deputetët kanë premtuar se do të zbatojnë mandatin e popullit, ata kanë premtuar se do të zbatojnë Brexit-in dhe shpresoj se do ta bëjnë”, deklaroi ai për stacionin televiziv “Sky”.

Vendimi për pezullimin e Parlamentit për pesë javë, pak para Brexit, ka shkaktuar irritimin e deputetëve që kundërshtojnë një dalje nga Bashkimi Europian pa marrëveshje.

Negociatorët europianë dhe britanikë do të mblidhen dy herë në javë në muajin shtator në përpjekje për të rënë dakord mbi kushtet e divorcit mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian, para 31 tetorit, njoftoi sot ministria e ngarkuar me Brexit.

“Takimet teknike do t’i shtohen dy takimeve të përjavshme, që do të vazhdojnë gjatë pezullimit të Parlamentit të Westminster mes javës së dytë të shtatorit dhe 14 tetorit”, theksoi ministria britanike.

“Nëse jam inkurajuar këto javët e fundit nga diskutimet e mia me drejtuesit europianë mbi vullnetin për të diskutuar për zgjidhjet alternative për rrjetin e sigurisë antidemokratike, është koha që dy palët të përshpejtojnë ritmin”, deklaroi kryeministri, Boris Johnson në një komunikatë./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.