JAPONI – Ministria e Mbrojtjes kërkon një buxhet të ri rekord  

TOKIO, 30 gusht /ATSH-AFP/ – Ministria japoneze e Mbrojtjes kërkoi sot një buxhet vjetor rekord ekuivalent me 50,3 miliardë dollarë, veçanërisht për të blerë avionë të rinj luftarakë dhe sisteme amerikane antiraketë, në një kontekst gjeopolitik të tendosur.

Kjo vlerë e projektuar për vitin fiskal 2020/2021 të Japonisë, që do të fillojë prej 1 prillit të ardhshëm, përbën një rritje prej 1,2% në raport me buxhetin e dhënë për këtë vit fiskal, që është tashmë një rekord.

Këto mjete të reja janë të destinuara veçanërisht për të blerë për herë të parë gjashtë avionë luftarakë, tip F35-B të prodhuesit amerikan ”Lockheed Martin”.

Rritja e vazhdueshme e buxhetit japonez të mbrojtjes që prej 2013-2014 reflekton pikëpamjet gjeopolitike të kryeministrit nacionalist, Shinzo Abe, mbështetës i një linje të ashpër përballë Koresë së Veriut dhe kërcënimit ushtarak të Kinës në rajon./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.