FOKUS – Përvoja polake në LIIB në gazetat më të mëdha të botës

VARSHAVË, 30 gusht /ATSH-PAP/ – Në prag të 80-vjetorit të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore (1 shtator 1939), Polonia ka përgatitur një seri titujsh historikë duke filluar nga viti 1939 si edhe artikuj nga intelektualë, historianë dhe liderë opinionesh që tregojnë historinë polake të kësaj periudhe dhe që do të botohen në gazetat më të mëdha perëndimore gjatë fundjavës.

Në mesin e titujve që do të botojnë këta artikuj përfshihen gazetat franceze ”Le Figaro” dhe ”L’Opinion”, ato amerikane ”Washington Post” dhe ”Chicago Tribune”, ajo gjermane ”Die Welt”, spanjollja ”El Mundo”, ajo belge ”Le Soir” dhe britanikja ”Sunday Express”.

“Titujt e gazetave kryesore kujtojnë se si ata raportuan sulmin e Gjermanisë ndaj Polonisë në shtator të 1939 dhe fillimin e mizorive”, thotë Eryk Mistewicz, i cili po udhëheq këtë fushatë.

“Tekstet shkruajnë për situatën e vështirë dhe heroizmin e polakëve, ndërprerjen e zhvillimit të Polonisë për disa dekada, por edhe për pasionin e polakëve, të dashurisë sonë për liri dhe solidaritet”, shton Mistewicz.

Historianë të rëndësishëm britanikë, italianë, francezë dhe gjermanë shkruajnë se 80 vjet më parë Polonia ishte tradhtuar sepse aleatët e saj nuk arritën të ofrojnë mbështetje të prekshme ushtarake për vendin që pësoi sulmin nazist, në kundërshtim me marrëveshjet e mëparshme.

Shtesa e veçantë do të paraqesë fakte rreth asaj se si polakët ndihmuan hebrenjtë të mbijetojnë nga shtypja naziste, duke përshkruar heronj si familja Ulma që u ekzekutua për të ndihmuar hebrenjtë dhe Witold Pilecki, një oficer polak që ngriti alarmin në Perëndim mbi Holokaustin në Poloni.

Gjithashtu do të tregohet historia e gjenive matematicienë polakë, të cilët ndihmuan në deshifrimin e kodit Enigma dhe si diplomatët polakë që falsifikuan dokumente për hebrenjtë dhe ndihmuan kryeministrin e ardhshëm francez, Pierre Mendes France për t’i mbijetuar nazizmit.

Lexuesit e gazetave botërore do të mësojnë gjithashtu për humbjet e mëdha të Polonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjashtë milion qytetarë polakë ose 22 % e popullsisë së përgjithshme të vendit, vdiqën gjatë luftës.

”Kjo do të thotë që 220 njerëz nga 1 000 kanë vdekur, një numër çuditërisht i madh në krahasim me humbjet perëndimore”, shkruan Bartosz Marczuk, një gazetar dhe politikan polak.

Kryeministri Morawiecki deklaron në mënyrë metaforike se viti 1939 mbaroi vetëm 30 vjet më parë, duke iu referuar rënies së komunizmit në 1989, kur Polonia rifitoi lirinë e saj të plotë dhe u bë një demokraci e vërtetë./   /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.