Prindërit denoncuan humbjen, 6-vjeçarja u gjet nga punonjësi i Policisë Rrugore

TIRANË, 29 gusht/ATSH/- Prindërit bënë kallëzim për humbjen e vajzës së tyre, por shqetësimi u fashit shpejt pasi ajo ishte gjetur nga polici rrugor. Kjo është historia që ka ndodhur sot në Tiranë te zona e “Zogut të Zi”.

Sipas njoftimit të Policisë, Punonjësi i Policisë Rrugore, duke kryer shërbim në aksin Zogu i Zi- Laprakë, ka vënë re një vajzë të vogël, e cila ishte e vetme në rrugë dhe po qante.

Punonjësi i Policisë Rrugore e ka marrë vajzën 6-vjeçare dhe i ka ofruar ujë e ushqim dhe është përpjekur të mësojë adresën e prindërve duke njoftuar edhe Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.

Patrulla e Policisë së Komisariatit Nr. 3 ka njoftuar kolegun e rrugores se mamaja e vajzës sapo kishte bërë denoncim për humbjen e 6-vjeçares.

Vogëlushja është transportuar me makinën e policisë dhe i është bashkuar prindërve të saj, të cilët kanë falënderuar policinë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.