“Më shumë kohë për familjen”, Migjen Basha i jep lamtumirën Kombëtares

TIRANË, 29 gusht/ATSH/-Migjen Basha, mesfushor i kombëtares shqiptare ka vendosur t’i thotë lamtumirë Kombëtares shqiptare të futbollit.

Ish-futbollisti i Torinos ka lajmëruar mëngjesin e së enjtes se kërkon më shumë kohë për familjen e tij. “Më shumë kohë për familjen dhe më shumë hapësira për të rinjtë”, përmend Basha si arsyet kryesore që e shtyjnë t’i japë lamtumirën Kombëtares kuqezi në moshën thuajse 33-vjeçare.

Në deklaratën e tij, ai falënderon shokët e skuadrës, stafin teknik dhe FSHF-në, për mundësinë që i kanë dhënë. Basha numëron 29 paraqitje me kuqezinjtë dhe ka arritur të gjejë 3 herë golin. Aktualisht mesfushori është pjesë e grekëve të Arisit të Selanikut, me të cilët ka kontratë deri në verën e ardhshme.

“Mendoj që ka ardhur momenti i duhur për mua që t’i dedikoj më tepër kohë familjes time.
Por në të njëjtën kohe, t’i japim mundësinë dhe lojtarëve më të rinj të kenë më tepër hapësira në ekipin kombëtar. Dua të falënderojë nga zemra te gjithë lojtarët e ekipit kombëtar, shokët e miqtë e mi gjate këtyre viteve.  Falënderoj stafin teknik te ekipit kombëtar dhe Federatën Shqiptare te Futbollit për mundësinë“, theksoi Basha.

Mesfushori me origjinë nga Suhareka i është bashkuar Kombëtares Shqiptare në vitin 2013 dhe debutoi më 22 mars në transfertën ndaj Norvegjisë, të cilën kuqezinjtë e fituan 0-1 me golin e Hamdi Salihit. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.