LONDËR, 28 gusht /ATSH-AFP/ – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se në rast të ndonjë sulmi kibernetik ndaj një vendi anëtar mund të përdoret neni 5 i Aleancës.
“Bota kibernetike është fusha e re e betejës. Përgatitja e NATO-s për botën kibernetike me burime të mjaftueshme, trajnim dhe pajisje është përparësia jonë kryesore”, theksoi Stoltenberg në një artikull për revistën britanike “Prospect”.
Ai nënvizoi se përgatitjet në këtë drejtim do të intensifikohen në samitin e NATO-s që do të mbahet në Londër në dhjetor dhe do të vazhdojnë edhe pas tij.
“Vetëm me një klikim mund të përhapet virus kibernetik në botë, por për të ndaluar katastrofën që do të shkaktojë kjo nevojitet një përpjekje globale”, shtoi Stoltenberg.
“Në rast të ndonjë sulmi serioz kibernetik mund të përdoret neni 5 i marrëveshjes sonë themeluese për NATO-n. Ky është angazhimi ynë i përbashkët për të konsideruar sulmin ndaj një aleati sikur ai është kryer kundër të gjithëve”, theksoi ai.
“Ne e kemi përkufizuar botën kibernetike si një zonë ku NATO mund të operojë dhe të mbrohet në mënyrë efektive, si në ajër, në tokë dhe në det. Kjo do të thotë se ne do të parandalojmë çdo sulm ndaj aleatëve tanë, qoftë në botën fizike apo virtuale, dhe se do të mbrohemi kundër tij”, nënvizoi Stoltenberg./ /ec/
