Superliga, mbyllet në barazim pa gola sfida “Tirana”-“Teuta”

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Sfida e cila çeli javën e dytë të Superligës mes “Tiranës” dhe “Teutës”, ka përfunduar në barazim pa gola.

Për t’u theksuar në këtë sfidë të zhvilluar sot pasdite në “Selman Stërmasi” është se u regjistrua edhe një episod i veçantë. Në minutën e 22-të të sfidës, takimi është ndërprerë për shkak të fikjes së disa projektorëve të stadiumit. Një problem ky që është zgjidhur pas rreth 30 minutash.

Sa i takon lojës, vendasit kanë pasur dhe rastet më të shumta. Me rifillimin e lojës, pas ardhjes së dritave, ka ardhur edhe rasti më i dyshimtë i takimit. Hoxhallari ka provuar të befasojë Frashërin me një goditje të zgjuar dënimi, me topin që është larguar nga portieri i miqve, por imazhet nuk kanë qartësuar nëse sfera e kishte kaluar apo jo vijën fatale. Fati i keq e ka ndjekur “Tiranën” edhe në pjesën e dytë, kur një goditje e Hasanit nga brenda zonës së rreptësisë është ndalur nga traversa.

Vërshëllima e trefishtë e gjyqtarit sinjalizoi dhe fundin e lojës, duke i dhënë të dyja skuadrave nga një pikë që ka vlerën e fitores për durrsakët, duke parë rastet e shpërdoruara nga vendasit.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.