Kalaja e Rozafës, mbi 17 mijë vizitorë në gusht

TIRANË, 27 gusht/ATSH/- Kalaja e Rozafës, e ngritur mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës, ka shënuar fluks vizitorësh gjatë muajit gusht.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër ka ndarë shifrat në rritje të numrit të turistëve për periudhën 1-25 gusht të këtij viti, duke i krahasuar ato me një vit më parë.

“Numri i vizitorëve ka shënuar rritje ku sipas shifrave të bëra publike nga data 1-25 gusht ka pasur 17, 230 vizitorë ndryshe nga një vit më parë ku shifrat flasin vetëm për 13, 910 vizitorë. E thënë ndryshe ky vit ka pasur 3320 vizitorë më shumë se vitin e kaluar”, bën të ditur DRKK, Shkodër.

Sipas DRKK, po ashtu të ardhurat nga vizita në këtë kala kanë pësuar rritje në krahasim me vitin e kaluar.

“Falë biletave të shitura për periudhën 1-25 gusht 2019 janë mbleshur 2. 119.200 lekë, ndërsa në 2018 janë mbledhur 1.968.020 lekë”, thekson DRKK, Shkodër.

Kalaja e Rozafës është monumenti historik më antik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.