IRAN – Rohani: Uashingtoni të hedhë hapin e parë me heqjen e sanksioneve

TEHERAN, 27 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti iranian, Hassan Rohani i kërkoi sot SHBA-së të hidhte hapin e parë duke hequr të gjitha sanksionet kundër vendit të tij, pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, cili e gjykoi real një takim të ardhshëm me drejtuesin iranian.

“Etapa e parë është heqja e sanksioneve. Ju duhet të hiqni çdo sanksion të paligjshëm, të padrejtë dhe të gabuar kundër kombit iranian”, deklaroi Rohani në një fjalim të ritransmetuar në televizionin shtetëror.

Këto sanksione u rivendosën nga Uashingtoni pas vendimit në vitin 2018 për tërheqjen e njëanshme nga marrëveshja ndërkombëtare për programin bërthamor iranian, arritur në vitin 2015 në Vjenë.

Që prej disa muajsh, tensioni është rritur mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Dje, në përfundim të samitit të G7-s në Francë, presidenti amerikan la të kuptohet një avancim të mundshëm në krizën iraniane duke e gjykuar real një takim në të ardhmen me Rohanin./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.