TIRANË, 27 gusht /ATSH – I. Vata/ – Byroja Kombëtare e Hetimit që ngrihet së shpejti në vendin tonë është e ngjashme me FBI-në amerikane e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Ambasada amerikane në Tiranë shpjegoi sot rolin e institucionit të ri të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit.
Në videon shpjeguese, pas asaj për Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar (SPAK), Ambasada sqaron: Çfarë është BKH? Përse është e rëndësishme BKH? “BKH dhe Prokurorët e Posaçëm do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivelet më të larta”, thuhet në shpjegim.
Çfarë është BKH?
Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK. SPAK-u është institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar, dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë. Në shumë mënyra, BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara.
Në fakt, hetuesit e BKH-së do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia. Ligji mbi SPAK-un po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjet e hetuesve të BKH.
BKH përbëhet nga një drejtor dhe një ekip hetuesish të cilët duhet të përmbushin standarde të forta, të ngjashme me ato të FBI-së. Kryeprokurori i Posaçëm i SPAK dhe dy prokurorë të posaçëm të tjerë do zgjedhin drejtorin e BKH-së.
Ky drejtor do drejtojë ekipet e hetuesve pasi të jenë përzgjedhur për këtë organ të rëndësishëm kombëtar. Drejtorit dhe drejtuesve të BKH-së do t’u monitorohen llogaritë bankare dhe për t’u siguruar që kryejnë detyrën me integritet dhe paanshmëri.
Pse është e rëndësishme BKH?
Në të kaluarën, cilido me para apo me pushtet mund të ndikonte sistemin e gjykatave në favor të tij. Tani Kushtetuta i jep SPAK-ut fuqinë dhe pavarësinë për të goditur korrupsionin e niveleve të larta. Me t’u ngritur SPAK dhe BKH do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsioni në nivele të larta dhe Prokurorët e Posaçëm mund t’i çojnë këto çështje të rëndësishme në gjykatë.
“Zyrtarët e korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar do të japin llogari dhe do të përballen me drejtësinë. Prokurorët e Posaçëm dhe BKH, janë këtu për tú sigurua që askush të mos jetë mbi ligjin”, thekson Ambasada e SHBA.