​Veseli: Ashpërsimi i luftës kundër korrupsionit ka rritur të ardhurat në 11 %

PRISHTINE, 27 gusht /ATSH/ -Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka zhvilluar një vizitë në Agjencinë Tatimore të Kosovës.

Veseli tha se ATK-ja e ka ashpërsuar luftën kundër korrupsionit edhe me një masë të re shumë efikase, me Sistemin e Riskut. Sipas tij, kjo ka ndikuar  në rritjen e të hyrave të ATK-së, në 11% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Agjencia Tatimore e Kosovës e ka ashpërsuar luftën kundër korrupsionit edhe me një masë të re shumë efikase, me Sistemin e Riskut. Në qeverinë time, asnjë biznesmeni nuk do i duhet të paguajë dikë apo të përdorë ndikime e njohje për të pasur sukses.                  Ky sistem elektronik i identifikimit të bizneseve, që të tani kontrollohen me të dhënat e riskut duke u analizuar në mënyrë automatike, i ka eliminuar kontrollet selektive dhe qëllimkëqija me tendenca korruptive. Po ashtu, kompanitë me probabilitet të lartë për të bërë evazion fiskal identifikohen me kohë nga ky sistem, i cili më pas i orienton edhe kontrollet për ta shmangur atë. Këto masa kundër korrupsionit i kanë rritur të hyrat e Administratës Tatimore të Kosovës në 11% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje trefish më e madhe se rritja ekonomike dëshmon se shkalla e rritjes vjen prej efikasitetit dhe qeverisjes së mirë të ministrit Bedri Hamza, jo prej rritjes së natyrshme të ekonomisë sonë. Nga 1.7 miliardë sa ishte buxheti i shtetit, pa rritur tatimet dhe tarifat doganore, barra fiskale këto që do të rëndonin mbi qytetarët, me masat e ndërmarra kundër korrupsionit kemi arritur ta bëjmë 2.4 miliardë euro. Kujdesi ynë për gjeneratat e reja dëshmohet edhe me vendosjen e tërësishme të borxhit publik nën kontroll, duke mos lejuar që fëmijët tanë të ngarkohen me borxhet e shtetit. Me këto miliona euro tani mund të krijojmë mundësi më të mira për të rinjtë tanë, në mënyrë që të mos detyrohen të largohen jashtë vendit. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.