Trajtimi i ushqimeve të skaduara/ Impianti i ri disiplinon të gjithë procesin, garanton standarde mjedisore

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Trajtimi i ushqimeve të skaduara që sekuestrohen nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) apo edhe i kafshëve të sëmura që asgjësohen sipas protokolleve të përcaktuara nuk do të jetë më një problem mjedisor.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural Blendi Çuçi, ishte në landfillin e Sharrës dhe u shpreh se, si rezultat i impiantit që po ngrihet pranë këtij landfilli do të disiplinohet i gjithë ky proces duke garantuar standardet më të mira mjedisore.

“Investimi që po bëhet gati përmes partneritetit publik privat është gjëja e duhur që adreson këtë problematikë të mbartur prej vitesh. Asgjësimin e mallrave të skaduara e pa standarde, si dhe të kafshëve të sëmura, e kemi detyrim ligjor për të garantuar shëndetin e konsumatorëve, por ky proces nuk mund të bëhet në kurriz të mjedisit”, – citon Çuçi.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të mbështesë investime të tilla edhe në zona të tjera të vendit, duke besuar se kjo është mënyra e duhur për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Financimi i këtij projekti bëhet përmes partneritetit publik privat dhe adreson një problematikë të mbartur prej vitesh në Shqipëri, deklaroi Çuçi.

/e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.