Taskforca e Transportit Rrugor monitorim të përditshëm të akseve kombëtare

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Taskforca e Transportit Rrugor ka intensifikuar aksionin e saj në të gjitha akset kombëtare për të identifikuar dhe ndëshkuar paligjshmërinë dhe konkurrencën e pandershme në sektorin e transportit rrugor.

Taskforca e Transportit Rrugor, bën të ditur se, po vijon monitorimet dhe kontrollet e përditshme në akset kombëtare për të gjithë mjetet e transportit rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave për të përmirësuar lëvizjen e mjeteve të transportit, si dhe për t’u ardhur në ndihmë të gjithë subjekteve dhe qytetarëve.

Taskforca, është një strukturë e posaçme që ka në fokus përmirësimin e nivelit të kontrollit rrugor të mjeteve motorike e rimorkiove, që shërbejnë për përdorimin ekonomik të tyre, për transport pasagjerësh e mallrash, si dhe kontrollin e njësive të autoriparimit, shitblerjes, depozitimit të mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit, ose të braktisura dhe veprimtaritë që lidhen me to. Kjo taskforcë është në varësi të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Plani i kontrollit dhe monitorimit të akseve rrugore ka ardhur pas udhëzimit të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila pak javë më parë, gjatë një takimi me përfaqësuesit e transportit publik ndërqytetas dhe ndërkombëtar që operojnë në vendin tonë u njoh me shqetësimet e tyre dhe garantoi se do të ketë një rregullim të operimit të linjave të transportit publik, duke theksuar se në fokus të kësaj ndërhyrjeje është goditja e paligjshmërisë në sektor, eliminimi i konkurrencës së pandershme dhe ofrimi i një shërbimi cilësor për qytetarët.

Aksioni në terren i Taskforcës po realizohet në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Policisë së Shtetit, e cila ka pasur në fokus konstatimin e pikave problematike, sipas denoncimeve nga vetë grupet e interesit, si dhe për të krijuar një panoramë sa më të qartë, sa i takon situatës në të gjithë vendin. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.