Informaliteti me hidrokarburet/ Për çdo rast, hetim përgjegjësve brenda administratës

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Në kuadër të luftës kundër informalitetit në fushën e hidrokarbureve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të bëjnë të ditur javën e ardhshme gjetjet kryesore, duke përmendur edhe secilin nga operatorët që është gjetur me shkelje dhe penalitetin përkatës.

Lajmin e bëri të ditur sot Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta, në një intervistë televizive, ndërsa theksoi se “kontrollet kundër informalitetit do të vijojnë jo vetëm në fushën e hidrokarbureve, por edhe në atë të cigareve e duhanit, pijeve alkoolike dhe të gjitha produkteve të akcizës”.

“Kemi nisur një kontroll sektorial për tregtimin dhe prodhimin e karburanteve nga momenti i shitjes me shumicë dhe importit deri në shitjen me pakicë drejt konsumatorit final. Kjo analizë ka dashur kohën e vet, ndaj dhe kemi pasur kujdes të mos përmendim emra, sepse është proces që zgjat dhe çdo subjekt ka të drejtën e apelimit. Por, me mbylljen e gjithë kontrollit, javën e ardhshme bashkë me Ministrinë e Financave, do të japim gjetjet kryesore duke përmendur edhe secilin nga operatorët që janë gjetur me shkelje dhe penalitetin përkatës”, tha Gjokuta.

Gjokuta tha se informaliteti në mënyrë ciklike mund të tkurret apo të rigjallërohet, por është ende prezent në ekonomi, ndaj duhet luftuar.

“Në gjykimin e administratës doganore 3 janë elementët kryesorë në luftën kundër informalitetit: integriteti i punonjësve, niveli i trajnimit apo edukimit të tyre dhe politikat motivuese apo ndëshkuese që vetë institucioni aplikon ndaj tyre”, tha ai.

Për çdo rast me shkelje, sipas Gjokuta, nuk është vetëm subjekti ai që penalizohet, por edhe të gjithë personat përgjegjës brenda administratës doganore që rezultojnë me shkelje.

“Kemi shumë raste procesesh disiplinore të nisura dhe janë marrë masa deri në largim nga detyra të çdo inspektori apo doganieri që ka rezultuar i përfshirë apo nuk ka reaguar në mbikëqyrjen e subjekteve që ka pasur nën vëzhgim”, tha ai.

Ndërkohë, Gjokuta tha se ligji i akcizës parashikon penalitete shumë të forta në raste shkeljesh.

“Ligji i akcizës parashikon që në rast evidentimi shkeljesh, përveç vlerës së evidentuar të munguar në buxhetin e shtetit të aplikohet edhe një penalitet që mund të shkojë nga 1 në 5-fish të detyrimit të munguar në varësi të rastit dhe përsëritjes së rastit”, tha ai.

Në 2 muajt e parë fokusi kryesor ka qenë në pjesën e karburanteve, por Gjokuta tha se “do të vijojë me pijet alkoolike, kafenë, cigaret etj.”.

Sa i takon administratës doganore, Gjokuta tha se “në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave kemi rekrutuar 54 studentë ekselence dhe po vazhdojmë edhe me rekrutimin e studentëve të rinj si dhe kemi nisur një proces të detajuar trajnimi të të gjithë punonjësve”. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.