Gjirokastër/ Aksion për pastrimin e fshatrave dhe lagjeve të qytetit

TIRANË, 26 gusht /ATSH/- Bashkia e Gjirokastrës vijon aksionin për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike në fshatra dhe lagje të qytetit të gurtë.

Punonjësit e Agjencisë së Shërbimeve Publike e kanë përqendruar punën e tyre ditët e fundit në pastrimin e disa lagjeve të qytetit të gurtë, konkretisht në fshatin ‘Arshi Lengo’, bllokun e pallateve në lagjen “18 Shtatori”, lagjen “Partizani” dhe Pazarin e vjetër.

Përveç pastrimit të këtyre lagjeve, punonjësit kanë vendosur kosha të ricikluar dhe kanë sistemuar inertet dhe mbetjet urbane.

Pjesë e punës së Agjencisë së Shërbimeve Publike ishte edhe normalizimi i situatës skandaloze në zonën e ish-depove të djathit.

Sipas banorëve për më shumë se dy vjet ata janë sorollatur pafund pa shpresë në dyert e bashkisë. Ish lulishtja me stola dhe gjelbërim ishin braktisur plotësisht duke u bërë rrezik për jetën e banorëve.

Pas urdhërit të kryetarit të bashkisë, Flamur Golemi, tashmë qytetarët kanë një kënd modest, ku mund të kalojnë orët e pushimit.

Bashkia e Gjirokastrës bën apel qytetarëve të kontribuojnë së bashku për një qytet dhe fshat më të pastër./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.