540 mijë shërbime në sportelet e Kadastrës, akses çdo qytetari

TIRANË, 26 gusht /ATSH/- Numri dy i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Risena Xhaja ka theksuar në një komunikim me median, se vetëm në 6 muajt e fundit Kadastra ka ofruar 540.000 shërbime në sportelet e saj, duke i dhënë akesin që çdo qytetar të marrë një përgjigje për çdo kërkesë të bërë.

Xhaja thekson se në këto muaj ka rënë trendi i përgjigjeve të ankesë/kërkesës jashtë afatit. Ndërsa thekson se ka rënë edhe numri i ankesave që vijnë nga portali.

“Fokusi i punës së institucionit do të jenë aplikimet për legalizimet të bëra në vitet 2005 – 2006. Kjo nuk do të thotë që edhe për vitet e tjera nuk do të trajtohen, sepse në zona të ndryshme aplikimet mund të kenë vite të ndryshme dhe trajtimi do të bëhet njëkohësisht për t’u fokusuar në këto prona”, – u shpreh Xhaja.

Sipas saj, faza e ristrukturimit të institucionit tashmë ka përfunduar. Punonjësit janë sistemuar në pozicione të punës si të personelit të Hipotekës, ashtu edhe të Aluiznit.

Muaji gusht është periudha intensive për sa i përket kërkesave që bëjnë emigrantët që kthehen për pushime në Shqipëri, shpjegoi nëndrejtorja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Risena Xhaja. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.