Sarandë, shtatë persona të arrestuar, mes tyre dy rusë për kontrabandë nafte

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Shtatë persona janë arrestuar brenda 24 orëve nga policia e Sarandës për vepra të ndryshme penale. Mes tyre janë edhe dy shtetas rusë, të cilët akuzohen për kontrabandë mallrash.

Policia raporton se “dy rusët u arrestuan pasi ditën e djeshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë transportuar me jahtin e tyre në det (jashtë pikës doganore Sarandë) në vendin e quajtur “Berdenesh”, 1477 litra naftë, me qëllim që t’u shmangeshin detyrimeve ligjore doganore.

Ndërkohë tre të rinj nga Dhërmiu janë arrestuar pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin në lokalin e shtetases V.C në Dhërmi, kanë vjedhur një sasi parash prej 50.000 lekë të rinj.

Një 18-vjeçar nga Saranda u arrestua pasi në bashkëpunim me shokun e tij dyshohet se kanë kanosur me thikë shtetasin D.P., për motive të dobëta, duke i marrë këtij të fundit 2500 lekë të rinj. Në momentin e kapjes në flagrancë, 18-vjeçarit iu gjet në trup një sasi e vogël lënde narkotike kanabis sativa dhe një dorezë metalike prej hekuri.

Për vjedhje u arrestua edhe një 39-vjeçar nga Tirana. Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se në një supermarket në lagjen nr. 4 Sarandë, ka vjedhur një kompresor ajri me vlerë 20.000 lekë të rinj. /m.z/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.