Policia arreston vjedhësin serial të 13 banesave në Durrës

TIRANË, 23 gusht /ATSH – I. Vata/ – Policia e Shtetit në bashkëpunimin Polici-Komunitet, finalizoi operacionin “Periferia” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së banesave në Durrës duke bërë të mundur arrestimin e një shtetasi për vjedhjen e 13 banesave.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, falë bashkëpunimit me qytetarët kanë arrestuar në flagrancë një shtetas, i cili gjatë natës vidhte banesa në qytetin e Durrësit. Është arrestuar shtetasi D.T., 34 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja””, shprehet policia.

Po ashtu policia sqaron dinamikën e veprimeve hetimore.

“Më datë 23.08.2019 ky shtetas është kapur në flagrancë, në lagjen Nr. 15 Durrës, në tentativë për të vjedhur banesën e shtetasit A.S, si dhe po gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm kishte vjedhur në banesën e shtetasit M.Q., dy telefona celularë dhe vlera monetare. Pas një pune profesionale dhe hetimore të kryer nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gyqësor Durrës, dyshohet se shtetasi D.T., gjatë dy muajve të fundit ka realizuar edhe disa vjedhje të tjera banesash në periferi të qytetit të Durrësit, i cili gjatë natës futej nëpër banesa nëpërmjet dritareve, kur njerëzit ishin në gjumë dhe vidhte sende me vlerë”, shprehet policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.