Përgjigje shqetësimit të qytetarëve/ Shembet diga e HEC-it në Kanionin e Holtës

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Bashkia e Gramshit ka nisur shembjen e digës së betonit pranë Kanionit të Holtës.

Kryetari i bashkisë, Klodian Taçe ka lajmëruar shembjen e betonit ndërsa ka garantuar se do të mbrohet interesi i qytetarëve. Ai ka thënë se menjëherë pas shqetësimit të raportuar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka reaguar menjëherë duke i dalë në mbrojtjes kauzës së banorëve.

“Dua t’ju njoftoj se është marrë vendimi për prishjen e digës së betonit pranë Kanionit të Holtës. Edhe njëherë doja të falënderoja të gjithë ata që reaguan dhe mbështetën, se bashku me mua, interesin e qytetarëve të Gramshit. Falenderoj veçanërisht ministren përkatëse, zonjën e nderuar Belinda Balluku e cila u përgjigj pozitivisht shqetësimit tonë, spektrin politikë ku unë bëj pjesë që na mbështetën me reagimin e menjëhershëm, banorët e zonës, aktivistët e ndryshëm që dolën në mbrojtje të një kauze të drejtë dhe të gjitha mediet që i dhanë jehonë problemit të qytetarëve të Gramshit”, -tha Taçe.

Sipas tij, ka marrë fund koha kur përbuzeshin pasuritë natyrore dhe në plan të parë viheshin interesat për përfitime personale.

“Iku koha kur Bashkia e Gramshit përbuzej dhe pasuritë e shumta natyrore përdoreshin për përfitime personale të një grupi të caktuar personash. Bashkia Gramsh nën drejtimin tim nuk do lejoj asnjë investim, sado strategjik të jetë nëse cënon pasuritë natyrore të zonës.
Janë pasuri që na i ka falur zoti dhe nuk duhet të keqpërdoren. Bashkia nën drejtimin tim do udhëhiqet gjithmonë drejt interesave qytetare”, -theksoi kryetari i bashkisë.

Kanioni i Holtës, konsiderohet një nga bukuritë mbresëlënëse të Shqipërisë dhe emrin e ka marrë nga lumi Holta. Kanioni i Holtës, me gjatësi rreth 3 km. me shpatet e luginës që ngrihen deri në i 100 – 150 m, ndërkaq lumi arrin thellësinë deri në tri metra. Kanioni përpihet ndërmjet fshatrave Bardhaj dhe Kabash. Të veçantë kanionin e bëjnë burimet e shumta termale, me ngjyrë të kaltër, të kristaltë. Shpellat e shumta karakteristike nga dy anët e këtyre shpateve mbuluar dhe me zona pyjore me drunj pishe panje e bredhi, me botë të pasur flore dhe faune, e bëjnë akoma më atraktiv. Kanioni i Holtës paraqet interes për ngjitje malore, për adhurues të kampingut. Kanioni i lumit të Holtës është 1.30 min. larg Tiranës.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.