Gjata: Agim Kajmaku të japë dorëheqjen, falsifikoi formularin e dekriminalizimit

TIRANË, 23 gusht /ATSH – I. Vata/ – Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e kryetarit të bashkisë Vorë, Agim Kajmaku me pretendimin se ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit.

“Agim Kajmaku i Vorës ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit dhe duhet të japë menjëherë dorëheqjen e të përballet me drejtësinë”, tha sot në një deklaratë për mediet në selinë e PD-së, sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata.

Sipas Gjatës, në Partinë Socialiste ka edhe kryetarë të tjerë bashkie me precedent penal.

“Valdrin Pjetri, kandidati trafikant i PS-së dhe Tom Doshit në Shkodër, nuk është një rast i izoluar. Një pjesë e mirë e kandidatëve të PS-së në bashki të ndryshme të vendit kanë probleme me drejtësinë, për shkak të së shkuarës kriminale ose për lidhjet e tyre aktuale me krimin”, tha ai.

Partia demokratike kërkon shpjegime për rastin e kryetarit të bashkisë Vorë, Agim Kajmaku nëse është dënuar në Greqi.

“Pyetja drejtuar Edi Ramës, Belinda Ballukut, Agim Kajmakut dhe Arta Markut është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: A është dënuar, dëbuar, arrestuar dhe shpallur në kërkim ndonjëherë në Greqi për vepra penale të rënda dhe a e ka fshehur këtë fakt në vetëdeklarimin e dekriminalizimit? A është arrestuar ndonjëherë në Greqi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto? A ka çështje të hapur penale në Greqi?”, shprehet ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.