Dita e kujtesës së viktimave të regjimeve totalitare/ Basha: PD do kriminalizojë simbolet e komunizmit

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në ditën e kujtesës për viktimat e regjimeve totalitare, bëri sot tre premtime politike, të cilat sipas tij, do të jenë ndër gjërat e para që do të bëjë sapo të vijë në pushtet.

Në një reagim duke sjellë në vëmendje informacione mbi shifrat e të burgosurve, të përndjekurve apo viktimave që ka lënë pas regjimi komunist, Basha thekson se “në këtë ditë kujtese, rikonfirmoj në emër të Partisë Demokratike, së bashku me ndjesën që nuk kemi arritur të bëjmë gjithçka nevojitet për nderimin e sakrificës së të përndjekurve politikë, për gjetjen dhe nderimin e eshtrave të të ekzekutuarve pa gjyq, vendosmërinë tonë që në Parlamentin e dalë nga vota e lirë do të miratojmë ndër aktet e para: ndalimin dhe kriminalizimin e simboleve të komunizmit, dhe nderimin për xhelatët e diktaturës, që kanë për qëllim të fshijnë çdo kujtesë të sakrificës dhe rezistencës për liri”.

Kreu i opozitës shprehet se do të bëjnë nderimin e viktimave të komunizmit, për të sprapsur revanshin komunist, i cili u rilind dhe u materializua, me vendimin kriminal për të hequr dhe kufizuar dëmshpërblimin për pasardhësit e të ekzekutuarve, si dhe angazhimin ligjor dhe financiar për gjetjen dhe nderimin e të ekzekutuarve pa gjyq që sot janë pa varr dhe eshtrat e të cilëve nuk gjenden.

Basha thekson më tej se “askush nuk ka paguar një çmim më të lartë për lirinë në Europë, sesa shqiptarët. Sakrifica e shqiptarëve përkthehet në mijëra të ekzekutuar me dhe pa gjyq, për liri, për demokraci, për dëshirën për të ndërtuar një shoqëri të respektit për dinjitetin njerëzor, sipas normave dhe vlerave europiane, për fjalën e lirë, për besimin në Zot”.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.