Berat/ Jo më dele në zonat urbane, Taskforca nis kontrollet

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Bashkia e Beratit ka ngritur taskforcën në terren e cila po punon për eliminimin e fenomeneve jo fort të hijshme për qytetin.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha se nuk ka zhvillim turizmi me dele që kullosin në qytet dhe qen që kanë zaptuar të gjithë qytetin.

Ai tha se nuk do të tolerohet askush që nuk i bindet ligjit. Kështu, pas fazës së njoftimeve, grupi i punës ka vendosur sanksionet e para ndaj atyre që vazhdonin të pashqetësuar të mbanin dhe kullosnin bagëtitë e tyre brenda në qytet.

Demo ka thënë po ashtu se do t’i jepet zgjidhje edhe problemit të qenve të rrugës.

“Taskforca në terren. I qëndrojmë strikt bindjes sonë për asnjë tolerim ndaj cilitdo që nuk i bindet ligjit! Pas fazës së njoftimeve, grupi i punës ka vendosur sanksionet e para ndaj atyre që vazhdonin të pashqetësuar të mbanin dhe kullosnin bagëtitë e tyre brenda në qytet! Nuk janë fjalë, nuk është aksion, është vendosmëri për një pamje të denjë urbane të Beratit. Së shpejti zgjidhja e duhur për qentë e rrugës”, – tha Demo. /z.tosku/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.