Turizmi kulturor/ 25% më shumë vizitorë në muze, parqe arkeologjike dhe kala

TIRANË, 21 gusht/ATSH/- Muzetë, parqet arkeologjike dhe kalatë në vendin tonë janë vizituar nga një numër i lartë turistësh vendas dhe të huaj.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bën të ditur se “numri i vizitorëve të huaj në sitet tona të trashëgimisë kulturore gjatë tre-mujorit të dytë të vitit 2019 është rreth 25% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.

Sipas saj, numri i vizitorëve në parqe arkeologjike gjatë 2019 ishte 67 908, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2018 ishte 60 658.

“Numri i vizitorëve në kala është 54 182 në tre mujorin e dytë të 2019, ndërsa në 2018 ishte 47 900”, tha Margariti.

Ministrja shprehet se “një tjetër rritje ka shënuar edhe numri i turistëve në muzetë e shumtë të vendit tonë, ku në tre mujorin e dytë të 2019 u shënua një numër prej 56 470 vizitorësh krahasuar me 44 666 në të njëjtën periudhë të 2018”.

Këto shifra tregojnë se turistët e huaj dhe vendas përveç turizmit veror kanë një interes në rritje për vlerat kulturore dhe asetet e trashëgimisë.

Shqipëria me bukuritë e saj natyrore, historike dhe kulturore vazhdon të mbetet atraksioni turistik i preferuar i turistëve të huaj dhe përgjatë 2019.

Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria gjithnjë e më shumë po bën për vete turistë dhe vizitorë të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror./k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.