Elia Zaharia, vajza e aktores së madhe Yllka Mujo: Duhet një teatër i ri modern

TIRANË, 21 gusht /ATSH – I. Vata/ “Nuk mendoj se është mëkat të kërkosh parametra dhe kapacitete europiane për një teatër dinjitoz kombëtar”, shprehet Elia Zaharia, vajza e aktores së madhe Yllka Mujo.

Po ashtu, Zaharia shton se godina e sotme e Teatrit Kombëtar nuk i përmbush parametrat.

“Nëse do qe e mundur të ndërtohet ky teatër i ri modern, dhe krahas tij të restaurohet apo rikonstruktohet ai ekzistues, kjo do të ishte një zgjidhje ideale dhe ne të gjithë do të ishim shumë të lumtur! Por sa reale është në kushtet e sotme kjo dëshirë e jona? A i përmbush godina e sotme këto parametra? Këtë përgjigje ata që e njohin sadopak teatrin në brendi e dinë. Ata që e kanë parë vetëm nga fasada apo në televizor, i ftoj ta vizitojnë. Për një gjë i siguroj të gjithë ata që i kanë ndarë me dashje artistët në “me ne ose kundra nesh” – nuk ka asnjë artist që nuk e do apo nuk i dhemb Teatri Kombëtar, përkundrazi! Të gjithë jemi teatri!” – shprehet ajo.

Kryeministri Edi Rama i shton edhe një zë tjetër të familjes së artistëve Mujo pro ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar.

“Elia Zaharia, vajza e aktores së madhe Yllka Mujo, është edhe ajo një aktore e talentuar e teatrit, që njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror, ka opinionin e arsyeshëm lidhur me të ardhmen e godinës së Teatrit Kombëtar”, shprehet Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.