Shqipëria, pjesë e Asamblesë Botërore “Fetë për Paqen” në Gjermani

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Shqipëria është një ndër vendet pjesëmarrëse në Asamblenë Botërore “Religions for Peace” (Fetë për Paqen) në Lindau, në bregun gjerman të Liqenit të Konstancës.

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë njoftoi se, sot nis Asambleja Botërore “Religions for Peace” (Fetë për Paqen) në Lindau, në bregun gjerman të Liqenit të Konstancës.

Përfaqësues fetarë nga e gjithë bota do të takohen atje deri të premten për të diskutuar sfidat aktuale për paqen dhe kontributin e feve për një bashkëjetesë paqësore.

Nën moton “Kujdesi për të ardhmen tonë të përbashkët“ do të diskutohet dhe konkretizohet përgjegjësia e komuniteteve fetare për të ardhmen tonë dhe atë të planetit ku jetojmë.

Konferencës në Lindau i është bashkuar edhe një delegacion prej pesë anëtarësh i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Shqipëria me shembullin e saj të bashkëjetesës paqësore midis feve të ndryshme mund të kontribuojë shumë në këtë debat.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.