Pukë, kosha të rinj në shëtitoren rreth liqenit të rivitalizuar

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ – Liqeni i Pukës i kthyer tashmë në një destinacion turistik ofron për të gjithë vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin.

Ditët e fundit, punonjësit e bashkisë së Pukës kanë vendosur kosha për hedhjen e mbeturinave në lulishten pranë tij, e kthyer tashmë në një oaz mahnitës.

“Ndonëse me vonesë, për këtë jemi të vetëdijshëm, ka nisur vendosja e koshave në shëtitoren rreth liqenit të rivitalizuar. Tashmë na duhet ndihma e qytetarëve që të mos hedhin mbeturinat në tokë”, bën të ditur bashkia e Pukës.

Prioritet i punës së bashkisë është edhe pastrimi i lulishteve dhe rrugëve të qytetit, ku çdo ditë punonjësit e mirëmbajtjes kujdesen që të ofrojnë mjedise sa më të pastra për qytetarët dhe turistët e shumtë që preferojnë klimën malore në këto ditë të nxehta vere.

Puka gjithnjë e më shumë po merr një fizionomi tjetër, duke u bërë më tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët, për shfrytëzimin e potencialeve të turizmit apo agroturizmit.

Aktualisht falë edhe investimeve të qeverisë për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit, mozaiku mjedisor që ofron Puka përbën tashmë edhe një destinacion turistik të veçantë. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.