Operatori i Sistemit të Transmetimit, garanton 100% rrjet të sigurt të furnizimit me energji elektrike

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ – Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) përmbyll me rezultate pozitive 6-mujorin e parë të vitit 2019.

Falë punës dhe përkushtimit të ekipit është realizuar një rrjet 100% i sigurt transmetimi dhe furnizimi të energjisë.

Investimet e bëra në këtë sektor kanë reduktuar në masë humbjet në rrjet duke rritur cilësinë e shërbimit dhe të ardhurat.

Performanca e rrjetit gjatë kësaj periudhe, krahasuar me 6-mujorin e parë 2018, regjistroi ulje me 37% të stakimeve të energjisë, 46% më pak stakime tranzitore dhe kohëzgjatja e stakimeve u reduktua me 18,9%.

OST bën të ditur se në 6-mujorin e parë të vitit u ulën me 49,6% GWh humbjet në rrjet, krahasur me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe kostoja e transmetimit u reduktua me 23%.

Gjithashtu, si rrjedhojë e miradministrimit financiar të fondeve, OST ka arritur të kursejë 143 mln lekë nga fondi i tij i prokurimeve, ose 7% më pak nga fondet e parashikuara.

/e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.