Diabeti, 1,5% më shumë persona identifikuan sëmundjen herët falë Check-Up

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Analizat falas që kryhen falë Kontrollit Mjekësor Bazë kanë mundësuar kapjen e sëmundjes së diabetit në fazën e hershme.

Të dhënat janë bërë publike nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe shifrat tregojnë se 19% e personave që kanë kryer analizën biokimike të gjakut janë identifikuar në fazën prediabetike ose 1,5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nëpërmjet setit të analizave që kryhen nga Kontrolli Mjekësor Bazë parandalohen komplikacionet dhe me një stil jete të shëndetshëm, qytetarët mund të parandalojnë sëmundjen e diabetit pa pasur nevojë për mjekim.

Diabeti është një sëmundje kronike me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike. Diagnoza e diabetit kërkon kryerjen e dy analizave laboratorike siç janë matja e glukozës, sheqerit në gjak para ngrënies në mëngjes dhe testi i tolerancës së glukozës, ku mbasi merret nga goja të 75 gramë sheqer, matet niveli i sheqerit në gjak çdo 2 orë, ose një ripërsëritje mbas një dite e matjes së glukozës në gjak esëll.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor ka bërë apel për kryerjen e kontrollit mjekësor bazë pa pagesë, në mënyrë që të parandalohen sëmundjet. Sipas FSDKSH, parandalimi është më mirë se kurimi.

Pas 4 viteve të aplikimit të kontrollit mjekësor bazë, 250 mijë qytetarë kanë përfituar nga Check-Up falas ndërkohë që janë kryer 34 mijë e 235 ndërhyrje kirurgjikale falas në 29 spitalet e vendit. /z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.