Ambasadori i ri i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Meta

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Gjermania ka sjellë ambasadorin e ri në Shqipëri, pas përfundimit të mandatit të Susanne Schutz. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, pranoi sot Letrat Kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen 30-vjeçare të Gjermanisë për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.

“Shqipëria do vijojë të mbështetet me besim dhe bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë tek Gjermania mike dhe partnere strategjike. Ne mirëpresim angazhimin e sinqertë dhe vendimtar të Bundestagut për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe për përparimin e vendit tonë drejt standardeve demokratike europiane”, – theksoi ndër të tjera Presidenti Meta.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për vëmendjen e madhe që Gjermania u kushton marrëdhënieve me Shqipërinë, si edhe zhvillimeve në rajon, duke vlerësuar vizionin e palëkundur të Kancelares Angela Merkel për integrimin e vendit tonë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE.

Duke i përcjellë Presidentit Meta, përshëndetjet e Presidentit të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ambasadori Zingraf u shpreh se ndjehet mjaft i lumtur që fillon detyrën si Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.