Aksion pastrimi në kanalin e Çukës/ Klosi: Saranda, destinacion i mbi 150 mijë turistëve

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ – Të rinjtë e Smile Albania dhe bashkia e Sarandës kanë nisur një aksion pastrimi në kanalin e Çukës.

Gjatë punës për pastrimin e këtij kanali, ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili theksoi se “jemi në kulmin e sezonit turistik dhe për Sarandën padyshim Butrinti shënon një nga destinacionet më të rëndësishme turistike ndaj të rinjtë e Smile Albania në këtë aksion pastrimi kanë nisur një aksion të thellë pastrimi bashkë me punonjësit e bashkisë për të pasur një Sarandë më të pastër”.

Sipas tij, aksione të tilla nuk mjaftojnë për të pastruar zonat turistike, por më i rëndësishëm është mesazhi për të ndërgjegjësuar qytetarët, bizneset që të kujdesen për të mbajtur pastër Sarandën dhe gjithë Shqipërinë.

“Megjithatë do të thoja me kënaqësi që kryetari i bashkisë në fillimin e punës ka marrë një aksion shumë të madh pastrimi për gjithë territorin e Sarandës dhe besoj që sot ajo është shumë më e pastër duke menduar që në Sarandë ka mbi 150 mijë turistë që janë çdo ditë aty dhe për fondet e bashkisë kjo është një punë shumë e madhe prandaj kontributi që japin të rinjtë e Smile dhe shumë qytetarë që i janë bashkuar aksionit të pastrimit është mëse i nevojshëm”, tha ministri Klosi.

Kryetari i bashkisë Sarandë, Ardian Gurma, vlerësoi aksionin e pastrimit përgjatë një segmenti, që çdo ditë përshkohet nga mijëra turistë që kalojnë Ksamil.

“Aktiviteti i sotëm ka më shumë si qëllim jo vetëm pastrimin por edhe ndërgjegjësimin e qytetarëve që përdorin këtë segment për mbetjet dhe grumbullimet e plehrave. Ne herë pas here kemi bërë thirrje dhe vazhdojmë të bëjmë thirrje për një ndërgjegjësim qytetar që të kemi një territor të pastër, sepse aseti ynë kryesor është turizmi”, tha kryetari Gurma. /k.s/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.