Spektakël në “Elbasan Arena”, Partizani mposht 4-2 Kukësin dhe fiton Superkupën

TIRANË, 19 Gusht /ATSH/ -Partizani ka arritur të fitojë Superkupën e Shqipërisë duke mposhtur me rezultatin 4-2 Kukësin.

Ndeshja e zhvilluar në “Elbasan Arena” dhuroi spektakël, gola dhe emocione, ku pati përmbysje rezultatesh nga të dyja krahët.

Protagonist absolut ishte sulmuesi i të kuqve Brian Brown me një tregolësh.

Ndeshja nisi mirë për Partizanin pasi që në minutën e 6-të Esat Mala, goditi saktë me të djathtën, edhe pse në një pozicion të prirët duke kaluar kryeqytetasit në avantazh.

Por më pas frenat e lojës i mori në dorë Kukësi që realizoi dy herë me anë të Emiliano Mustës, i cili fillimisht në minutën e 39-të shmangu portierin Hoxha dhe barazoi rezultatin dhe më pas në minutën e 56-të ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke përmbysur rezultatin.

Pas këtij goli Lerda kreu edhe ndërrimin e dytë duke hedhur në fushë Broën në vend të Solomonit.

Në minutën e 88-të, një harkim i Trashit nga e majta u kthye në asist për Broën, që godet me kokë, por pret Avdyli, gjithsesi në tentativën e dytë portieri i Kukësit nuk mund të bënte asgjë.

Koha e rregullt përfundoi 2-2, kështu që skuadrat do të luanin edhe dy shtesa nga 15 minuta për të pasur një fitues.

Sapo nisi shtesa e parë Brown realizoi golin e dytë personal pas një aksioni të bukur të nisur nga Mala e vijuar nga Trashi, që asistoi sërish saktësisht sulmuesin xhamajkan.

Vetëm 5 minuta më vonë Brown tundi për herë të tretë rrjetën, pas krosimit të Çinarit dhe lëvizjes së bukur Bardhit, për rezultatin përfundimtar 4-2.

Vetëm 6 ditë më vonë kampionët dhe nënkampionët e Shqipërisë do të përballen përsëri për të çelur sezonin e ri të Superiores.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.