Rikthehet Kategoria Superiore, ja kur luhen ndeshjet e javës së parë

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ – Vetëm 5 ditë pas finales së Superkupës mes “Kukësit” dhe “Partizanit”, këto dy skuadra do të përballen sërish në sfidën që pritet të ngrejë siparin e sezonit të ri të Kategorisë Superiore.

Këtë herë pritës do të jetë “Kukësi”, ndërsa sfida është zhvendosur nga Kamza në “Elbasan Arena” dhe do të startojë të premten në orën 19:00, menjëherë pasi të jetë zhvilluar edhe ceremonia hapëse e kampionatit.

Më pas 4 ndeshjet e tjera të Kategorisë Superiore do të luhen ditën e shtunë më 24 gusht, por të ndara në dy fasha oraresh, teksa në orën 16:00 do të zhvillohet “Vllaznia”-“Laçi” dhe “Skënderbeu”-“Flamurtari”, ndërsa në orën 19:00, nën dritën e projektorëve do të zhvillohen sfidat “Tirana”-“Luftëtari” dhe “Teuta”-“Bylis”.

/gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.